Rregullorja kontradiktore për ngrohje qendrore është publikuar në gazetën zyrtare. Kundër saj reaguan edhe partitë politike dhe ekspertët juridik të cilët e quajnë antikushtetuese. Rregullorja e re e KRRE-së pritet të krijojë pakënaqësi tek qytetarët, të cilët, edhe në rast të shkëputjes nga sistemi, duhet të paguajnë në mënyrë retroaktive. PLD theksoi se do të ngrejë iniciativë për kushtetutshmërinë e kësaj rregullore.
"Mendojmë se kjo është absolutisht antikushtetuese. Fillimisht dua të kujtojë se gjykata kushtetuese para 4 vitesh kishte miratuar vendim që shfuqizonte akte të tilla ligjore me të cilat detyroheshin që, ata konsumatorë të cilët nuk përdorin ngrohjen qendrore të paguajnë një përqindje të faturës. PLD rikujton se në përputhje me kushtetutën e Maqedonisë është i ndaluar zbatimi retroaktiv i ligjeve dhe dispozitave të tjera", deklaroi Zoran Shapuriq, PLD.
Ndërsa eksperti juridik Osman Kadriu thotë se kjo rregullore ka qenë e kontestuar që para miratimit të saj, prandaj edhe do të abrogohet nga gjykata kushtetuese.
"Sipas mendimit tim nuk ka bazë kushtetuese, nuk mund të obligohen qytetarët të cilët kanë kërkuar ndërprerjen e ngrohjes qendrore në banesat e tyre. Jam i mendimit se edhe kjo rregullore do të ketë fatin e akteve tjera që ka miratuar komisioni rregullator, e kjo do të thotë se përsëri do të ketë iniciativa në gjykatën kushtetuese", theksoi Osman Kadriu, ekspert juridik.
Anëtari i KRRE-së Ruhi Bakiu thotë se pagesa retroaktive për ngrohjen qendrore do të prekë të gjithë konsumatorët e shkëputur nga sistemi, të cilët nuk lidhin marrëveshje të re deri brenda 1 tetorit. Në gjitha rastet, pa marrë parasysh kohën e shkëputjes, konsumatorët do të duhet të paguajnë 10 denarë për metër katror, për aq kohë sa kanë qenë të shkëputur nga rrjeti i ngrohjes qendrore. Mënyra e vetme për të mos paguar ngrohjen qendrore është vetëm nëse e gjithë ndërtesa shkëputet nga sistemi dhe matësi i ndërtesës të tregojë 0 për qind energji të shpenzuar. Nevzat Mamuti
Comments