Doganat, polemika për përfaqësimin

  • 9 years ago
Drejtori i Doganave të Maqedonisë Vanço Kargov përgënjeshtroi zëvendësin e tij Driton Fejza për përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion. Sipas shifrave të prezantuara nga Kargov, shqiptarët në këtë drejtori përbëjnë 13.2 % e jo si pretendon Fejza 8 për qind. Madje sipas dokumenteve të prezantuar nga Dogana, nga gjithsej 1166 të punësuar, 975 janë maqedonas, 148 shqiptarë, 12 serbë, 3 romë, 1 boshnjak, 6 vllahë dhe 18 turq. Në pozita drejtuese të Doganave të Maqedonisë ndodhen 16 shqiptarë ose 9.63 për qind, nga gjithsej 166 poste të tilla. Në tabelat e prezantuara shihet numri i shqiptarëve të punësuar dhe numri i tyre në pozita drejtuese.
Disa ditë më parë, zv/drejtori i Doganave të Maqedonisë Driton Fejza tha për ALSAT-M, se përfaqësimi i shqiptarëve në këtë institucion është 8 për qind.
"Sot drejtori i doganave thotë se përfaqësimi i shqiptarëve në Doganë është 12 për qind sa sipas jush është?".
"Nuk është e vërtet, 8 për qind është!", përgjigjet Driton Fejza zv/drejtor i Doganave të Maqedonisë.
"Do të thotë drejtori i doganave thotë se është 12, e ju thoni 8 për qind. Cila është e vërteta tani?".
"Po ajo që them unë pra, 8 për qind", tha Fejza.
Të enjten e kaluar Alsat M publikoi se nga 44 poste drejtuese në Doganat e Maqedonisë vetëm 4 mbahen nga shqiptarë, përkatësisht dy, pa llogaritur zv/drejtorin dhe njërin nga 4 këshilltarët e drejtorit. Dogana në dokumentacionin e prezantuar vërteton se me 15 nëntor të vitit 2011 i kishte dërguar të dhënat për përfaqësimin e drejtë, edhe avokatit të popullit. Por në raportin e fundit për vitin 2011 të Avokatit të popullit, të dhënat e institucionit të drejtuar nga Kargov, nuk figuronin. Nevzat Mamuti