Tanusha bllokon 'Pyjet e Maqedonisë'

  • 9 years ago
Nëse nesër nuk i marrin lejet për prerjen e pyjeve privatë, banorët e fshatit Tanushë do të bllokojnë rrugën nëpër të cilën ndërmarrja "Pyjet e Maqedonisë" bart trungjet e prerë për në Shkup. Një pjesë e rojtarëve të pyjeve, të cilët prej 2 muajsh kërkojnë leje për të prerë pyllin, thonë se nëse kjo çështje nuk mbyllet tani, nuk do të nxjerrin para për bukë për dimrin e ardhshëm.
"Prej shtatorit e andej kap kohë e keqe, borë dhe me pas mundësi të transportosh për në Shkup nuk mundesh se fillojnë shirat, bora dhe gjitha gjërat. Te ne është problem se shumë vite nuk kemi shfrytëzuar ndërsa sivjet nuk na kanë dhënë kurrfarë letre, asnjë vendim, e kanë marr edhe çekiçin të cilin e kemi si numër që i transportojmë drutë për në Shkup. Nuk e di ku ekziston shkaku. Ministria e bujqësisë duke përfshi ministrinë e pyjeve dhe ujërave gjithmonë na ka lënë pas dore", deklaroi Feris Jakupi, banor i Tanushës.
"Dy muaj që presim të na jep dokumentet dhe vulën e drurëve që t'i shfrytëzojmë edhe ne pyllin tonë siç e shfrytëzojnë të gjitha fshatrat tjera që i kemi përreth. Pse vetëm fshatin Tanush, çfarë të keqe ka nga fshati Tanush Karaxhoski që ta bllokoj. I bëjmë thirrje Karaxhoskit që prej nesër rrugën Tanush e ka të zënë në qoftë se nuk lejohet që drunjtë të dërgohen për Tanush nuk do të mund të dërgoj as për Karaxhic", tha Muhamed Asani, banor i Tanushës.
Nga ndërmarrja "Pyjet e Maqedonisë" thonë se nuk kanë pasur asnjë problem me askënd dhe as me banorët e Tanushës. Drejtori Zharko Karaxhoski përmes telefonit, tha se problemi ishte një rrëfim i trilluar. Ai vuri në dukje se ka një ligj që rojtarët e pyjeve duhet ta respektojnë. Ai i porositi banorët e revoltuar të Tanushës që të bëjnë kërkesë për shfrytëzimin e pyjeve private, dhe t'i dorëzojnë ato tek Drejtoria e Ndërmarrjes Pyjore. Verica Pavllovska

Recommended