Mijëra njerëz vrapuan për të shpëtuar kokën, menjëherë pas rënies së muzgut në Manila të Filipineve. Ata vraponin t'i shpëtonin daljes së zombëve. Rreth shtatë mijë vrapues u desh të garonin deri në mesnatë, në konkursin 5 kilometërsh, mes shumë pengesave fizike por edhe atyre njerëzore, zombëve. Kjo garë, e cila është huazuar nga SHBA-ja, mbledh në Manila edhe qindra turistë të huaj. Përgjatë rrugës së vrapimit, rreth 300 aktorë të maskuar me kostume të frikshme, të fshehur prapa shkurreve apo makinave të braktisura, ia behin përpara vrapuesve, për ti kapur ose penguar në vrapim. Në fakt, qëllimi i zombëve është t'u rrëmbejnë garuesve, të ashtuquajturat fjongo shëndetësorë që i kanë të lidhura në bel. Vrapuesit quhen të vdekur nëse u vidhen që të tre fjongot e kuqe. Nga ana tjetër, nëse ata kalojnë pengesa të vështira, fitojnë bonuse, pikërisht nga një fjongo shtesë. Gara është interesante dhe plot adrenalinë, falë edhe pengesave të çuditshme dhe grackave që kanë ngritur zombit.
"Është një emocion drithërues për vrapuesit, i trembim ata dhe shohim reagimin e tyre, është argëtuese", deklaroi Tesa Lim, aktore në rolin e zombit.
Shumë vrapues, për t'i shpëtuar prekjeve apo rrëmbimit të fjongove, kishin përdorur edhe mburoja, si në kokë ashtu edhe në trup.
"Nëse njerëzit duan heronj, për t'u kujdesur gjatë situatave të rrëmbimeve me zombi, unë jam këtu, për të shpëtuar jetë dhe për t'i motivuar ata të vazhdojnë të vrapojnë", u shpreh Kristian Ang, vrapues.
"Unë mendoj se ky lloj vrapimi duhet të jetë pjesë e trajnimeve olimpike. Siç mund t'i shihni, vrapuesit tanë janë vërtetë të shpejtë... por për t'i trajnuar për lojëra olimpike, nevojitet një radhë akoma më e gjatë me zombi", tha Xhudi Malabanan, organizator
Organizatorët planifikojnë t'i shpeshtojnë këto gara, dhe t'i bëjnë ato akoma më të vështira dhe më atraktive. Qëllimi final i vrapimit, përveç argëtimi dhe tradita, është një nxitje më shumë për të rinjtë të merren me ushtrime fizike dhe fitnes. Admir Qose
Comments