Dogana heshtë për përfaqësimin e shqiptarëve!

  • 9 years ago
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në Doganat e Maqedonisë është alarmues, por më shqetësues është fakti se nga 44 njësi, pjesë të kësaj drejtorie, vetëm 4 udhëheqës janë shqiptarë, përkatësisht dy pa e llogaritur zv/drejtorin dhe këshilltarin e drejtorit. Shqiptarët në këtë drejtori kryesojnë njësinë për furnizime publike dhe njësinë për siguri dhe mbrojtje nga zjarri. ALSAT-M edhe pse kontaktoi drejtorin e Doganave, nuk mori përgjigje për pyetjet që parashtruam. Kargovin, ndër të tjerash, e pyetëm.

1. Sa është numri i shqiptarëve në Doganat e Maqedonisë në bazë të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë që buron nga marrëveshja e Ohrit?

2. Pse numri i tyre është simbolik, edhe pas 10 vjetësh nga marrëveshja e Ohrit?

3. A i motivojnë apo ç'motivojnë Doganat e Maqedonisë, shqiptarët që të punësohen në Doganë?

4. Çfarë do të ndërmerrni që të përmirësoni përfaqësimin adekuat?

Drejtoria e Doganave edhe në raportin e Avokatit të Popullit për përfaqësimin adekuat nuk kishte dorëzuar kurrfarë të dhënash. Për situatën alarmante në këtë drejtori, ALSAT-M shkroi që në muajin shkurt të këtij viti kur mbi 40 nëpunës shtetëror të punësuar në Drejtorinë e Doganave, por të transferuar në këtë institucion nga Sekretariati për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, kishin akuzuar se janë të detyruar të bënin punë që nuk u takonin, sipas postit që u ishte caktuar. Në një letër të hapur dorëzuar ALSAT M-së, ata thoshin se statusi i tyre i ndryshëm nga të punësuarit e tjerë kishte ndikuar që ata të ndiheshin të nënçmuar. Nëpunësit shtetëror kërkojnë që të punojnë edhe si doganierë. Nevzat Mamuti

Recommended