Shtrenjtohet energjia dhe ngrohja qendrore

  • 9 years ago
Goditje e re për qytetarët. Prej 1 gushtit faturat për energji elektrike do të vijnë me çmime më të larta prej 9.83 për qind. Kështu vendosi sot Komisioni Rregullator për energjetikë sipas të cilit kjo rritje është për shkak se EVN është jolikuide, përkatësisht nuk ka para për të mbuluar të gjitha shpenzimet dhe detyrimet që ka ndaj kompanive tjera. Kreu i KRRE-së, Dimitar Petrov thotë se për këtë qëllim EVN ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 19.7 për qind. Sipas tij kjo situatë në kompaninë energjetike mund të jetë si rezultat i menaxhimit të keq .
"Jo likuiditeti gjithsesi varet prej vendimeve tona por mbi të gjitha ajo varet nga menaxhimi i kompanisë dhe situatës ne teren. Sa është rritur përqindja e humbjeve do të shohim në fund të vitit, ku gjithashtu do të shohim se sa ka qenë përqindja. Do të thotë nëse pagesa e energjisë në muajt në vijim është shumë e ulët dhe nuk mund të paguajnë do të thonë se kanë pak të ardhura, ndërsa përqindja e humbjes është punë e tyre", deklaroi Dimitar Petrov, kryetar i KRE-së.
Se EVN nuk ka para për pagesën e borxheve e pranojnë edhe nga kjo kompani të cilët thonë se në rrezik është vënë i gjithë sistemi energjetik.
"Arsyeja kryesore pse kemi kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike është fakti se në pikpyetje është vënë likuiditeti i kompanisë, ndërsa e dimë se rrethi është një e në të gjithë jemi në të. Me këtë rrezikohet edhe gjithë sistemi energjetik në shtet si dhe 3000 kompani të cilat varen nga sektori energjetik. EVN-Maqedoni 6 vite radhazi shënon rezultate negative dhe kjo rritje është një hap para, por është fakt se likuiditeti i EVN-Maqedoni mbetet shqetësuese", tha Lençe Karpuzovska, zëdhënëse e EVN-së.
Por, ky nuk është lajmi i vetëm për shtrenjtime. Komisioni rregullator nga muaji gusht do të shtrenjtojë edhe çmimin për ngrohjen qendrore. Shfrytëzuesit e shërbimeve të kompanisë 'Toplifikacija' do të paguajnë fatura më të shtrenjta për 3.13 për qind, kurse ato të kompanisë 'Shkup Veri' do të paguajnë faturat e tyre për 3.75 për qind më shtrenjtë.
"Nëse do t'i pranonim të gjitha kërkesat e dy kompanive çmimi i ngrohjes qendrore vetëm për njërën ngrohtore duhej të rritet për 36.75 për qind", u shpreh Dimitar Petrov, kryetar i KRE-së.
Me çmimin e ri të energjisë elektrike, 1 kilovat orë energji elektrike do të kushtojë 5.56 denarë. Kryetari i këtij komisioni Rritje të fundit të energjisë elektrike në Maqedoni kishte vitin e kaluar, kur energjia u shtrenjtua për 6.95 për qind. Nevzat Mamuti

Recommended