'Emri', Ban Ki Mun: Gati të ndihmoj personalisht

  • 9 years ago
Edhe gjatë takimit në Ohër me presidentin Gjorgje Ivanov, sekretari i përgjithshëm i KB-së Ban Ki-Mun ka shprehur gatishmëri që personalisht të angazhohet në zgjidhjen sa më të shpejt të çështjes së emrit. Mesazhet e krerëve të Maqedonisë, Ban Ki Mun do t'i përcjell në Athinë përmes ndërmjetësit Metju Nimic ndërsa do të angazhohet që pala grek të respektoj vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, kërkesë kjo e shtruar nga presidenti Gjorge Ivanov.
"Do të angazhohemi maksimalisht që të bisedojmë me qeverinë greke. Menjëherë pas vizitës, do ta dërgoj përfaqësuesin tim personal Metju Nimic që të përcjell bisedën tonë këtu. Unë personalisht do të tentoj të kontaktoj me kryeministrin Samaras që të ndihmoj në përshpejtimin e procesit. Është për keqardhje që dy vende fqinje nuk arritën në tërësi ti shfrytëzojnë potencialet e tyre për bashkëpunim rajonal, pajtim dhe zhvillim. KB do të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre që të lehtësojnë procesin. Bëhet fjalë për problem afatgjatë. Jemi të vetëdijshëm për vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë dhe do ti marrim parasysh të gjitha aspektet", deklaroi Ban Ki Mun, sekretar i përgjithshëm i KB-së.
Presidenti Ivanov ka theksuar se kontestet bilaterale nuk duhet të keqpërdoren por duhet të zgjidhen në pajtueshmëri me marrëveshjet ndërkombëtare. Ai kërkoi që pala greke të negocioj vetëm në kuadër të kornizës që parasheh Marrëveshja e përkohshme dhe rezoluta e KB.
"Kërkova nga sekretari i përgjithshëm dhe ndërmjetësi Nimic të sigurojnë respektim të rezolutës së KB dhe të kujdesen që negociatat për emrin të zhvillohen në kornizën e përcaktuar e cila ekziston me rezolutën e OKB-së dhe marrëveshjen e përkohshme. Ai është parakusht të arrijmë deri te zgjidhja e pranueshme për këtë problem që na rëndon 20 vite. Çdo dalje nga kjo kornizë vetëm na largon nga zgjidhja e përbashkët e pranueshme", u shpreh Gjorge Ivanov, president.
Temë diskutimi kanë qenë edhe marrëdhëniet ndëretnike në vend ku sekretari i përgjithshëm i KB ka kërkuar nga qeveria të implementojë në tërësi Marrëveshjen e Ohrit.
"Qeveria ka bërë hapa të rëndësishëm në definimin e strategjive nacionale sa i përket dallimeve. Megjithatë ekzistojnë edhe më tej tensione mes bashkësive etnike. Inkurajoj qeverinë që të respektoj gjithë atë që është shkruar në Marrëveshjen e Ohrit të nënshkruar para 11 viteve", tha Ban Ki Mun. sekretar i përgjithshëm i KB-së.
Presidenti Ivanov kërkon që pala greke të tregoj vullnet për të negociuar dhe të pranoj ftesat e Maqedonisë. Sipas tij është e paimagjinueshme që gjatë 20 viteve të mos ketë takim mes presidentëve të Greqisë dhe Maqedonisë. Deri më tani presidenti Gjorge Ivanov ka dërguar 4 ftesa për takim deri tek homologu i tij grek të cilat nuk kanë rezultuar me sukses. Gjyltene Rexhallari