Skip to playerSkip to main content
  • 10 years ago
RDK-ja e Rufi Osmanit i është përgjigjur akuzave të djeshme të BDI-së duke mbetur në qëndrimin se diskriminimin e shqiptarëve në Ekonomi e vërtetojnë edhe shifrat e institucioneve në krye të të cilave janë kuadro të BDI-së. Deputeti i kësaj partie Izet Zeqir duke prezantuar të dhënat e Agjencionit për investime të huaja theksoi se në rajonet me shumicë shqiptare shteti aspak nuk ka investuar, ndërsa aspak nuk e ofron si mundësi investuese Maqedoninë Veri-Perëndimore para kompanive të huaja. Zeqiri shprehet se në krahasim me zonën e lirë ekonomike në Tetovë e cila për momentin shërben vetëm si një hordhi qensh, Qeveria në qytetet lindore të Maqedonisë ka investuar qindra miliona euro duke mundësuar hapjen e mbi 10.000 vende pune. Sipas tij në Bunarxhik janë investuar 83 milion euro, Shtip dhe Manastir nga 20 milion dhe në Kavadar 38 milion euro.
"Zoti Valon populli thotë "Nuk mund t'i japësh flak pyllit po s'të ndihmoj era".RDK si një parti opozitare ju ndihmon juve në pyllin qeveritar që të shihni popullin shqiptar dhe vuajtjet e tyre. Shtrohet pyetja hapur ku qëndron zona e lirë ekonomike në Tetovë. Përveç një hordhi qensh dhe macash që mund të gjendet në atë territor asgjë tjetër nuk ka konkrete", ka deklaruar deputeti i RDK Izet Zeqiri.
Zeqiri i bëri thirrje Saraçinit për ballafaqimin e fakteve rreth diskriminimit ekonomik të shqiptarëve. Sipas tij ky ballafaqim mund të realizohet në cilindo medium apo edhe në Qeveri.
"Lidhur me këto akuza i bëj ftesë ministrit Saraçini me gjithë kabinetin e ministrisë së Ekonomisë le të merr edhe ndonjë ministër të VMRO-DPMNE-së dhe në cilindo medium në cilëndo qendër në Qeveri kudo mund të shtrojmë dhe të debatojmë lidhur me realizimin e të drejtave ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni", ka theksuar Zeqiri.
Ditë më parë BDI e quajti RDK-në e Rufi Osmanit, parti të vogël me ambicie lokale, për diskutuar projekte të mëdha. Sipas Valon Saraçinit, RDK fatkeqësisht vazhdon të funksionojë në mënyrën e vjetër, duke u marrë me tentativa për manipulimin e opinionit. Nevzat Mamuti

Category

📺
TV
Comments

Recommended