Toka shtetërore, në shfrytëzim për të papunët

  • 9 years ago
Prej shtatorit të këtij viti personat e papunë, që duan të merren me kultura drithërash dhe industriale, duhet të aplikojnë për të marrë për shfrytëzim, tokë shtetërore. Ngastrat do të jenë me madhësi prej 4 deri 7 hektarë. Aksioni është pjesë e programit të ri të ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Punës dhe politikës sociale, në koordinim me Agjencinë e Punësimit. Sipërfaqja e përgjithshme që do të jepet për shfrytëzim këtyre personave, është 845 hektarë, Shpërndarja e saj do të jetë në 24 komuna në territorin e Maqedonisë. Shfrytëzuesit do të mund t'i përdorin ngastrat me kontratë për 5 vjet, plus edhe ndihmë shtesë nga qeveria.
"Për ata që kultivojnë kultura drithërash, foragjere dhe bujqësore, është parashikuar ndihmë e njëhershme materiale deri në 20 mijë denarë për 1 hektar, por jo më tepër se 120 mijë. Për bujqit të cilët do të kultivojnë kultura kopshtarie është parashikuar ndihmë prej 55 mijë denarë për 1 hektar", deklaroi Lubço Dimovski, ministër i bujqësisë.
Për shfrytëzuesit që do të marrin tokë bujqësore nën sistemin e ujitjes, është parashikuar që të mos paguajnë taksë ujitjeje.
"Shfrytëzuesve të ndihmës sociale dhe tokës bujqësore do t'ju sigurohet 100 për qind shumë mujore e ndihmës sociale në para, si dhe sigurimi social në vitin e parë. Gjatë 12 muajve të ardhshëm do t'ju sigurohet 50 për qind e shumës mujore të ndihmës sociale dhe 100 për qind sigurim social", u shpreh Spiro Ristovski, ministër i punës.
Pas shpalljes së shfrytëzuesve, Agjencia e Punësimit do të lidhë me ta kontratë për pagesën e ndihmës, kurse inspektorët në terren do të ndjekin rregullisht procesin e punës së tokës. Petar Bllazhevski

Recommended