Nga ora 3 e 1 minutë pas mesnate, të gjithë besimtarët myslimanë fillojnë Muajin e shenjtë të Ramazanit. Besimtarët do t'i përgjigjen për 30 ditë me radhë, ftesës së Allahut për të plotësuar këtë obligim fetar. Muaji i Ramazanit ka shumë vlera të mëdha që dallon nga muajt e tjerë. Në këtë muaj të shenjtë filloi zbritja e librit hyjnor, Kuranit. Sipas hoxhë Remzi Isakut veçori tjetër e Muajit të Ramazanit është falja e namazit të Teravisë. "Në këtë muaj hapen dyert e mëshirës më shumë se në muajt e tjerë. Ky muaj i Ramazanit përveç agjërimit, zbritjes së Kuranit është edhe një lloj i faljes së namazeve që ka ardhur në argumentet e shumta të profetit tonë Muhamedit a.s i cili ka thënë se: Atij që agjëron Allahu ja fal mëkatet atij dhe ai që fal namazin e dalluar, namazin e Taravisë, Allahu ia pastron atij gjynahet. Njashtu është një natë e veçantë, është nata e Kadrit ku në atë natë ka filluar fillimi i zbritjes së Kuranit", u shpreh Remzi Isaku, hoxhë. Sipas Isakut, Muaji i Ramazanit është një privilegj për ata që e përjetojnë. Ai shton se ky është një shans që çdo besimtar të fillojë një jetë të pastër dhe të marrë faljen e krijuesit të madh. "Agjërim nuk është vetëm mos haja dhe mos pija. Siç ka edhe argumente tjera, por është një disiplinë tjetër që njeriu të ruhet nga ofendimet, të flet mirë, të veprojë mirë, të mendojë mirë edhe pse besimtari mysliman çdo herë duhet të veprojë mirë, mirëpo në veçanti në agjërim dhe pjesa e agjërimit është që gjymtyrët e tij të jenë nën shërbimin e Zotit. Do të thotë është edhe aspekti shpirtëror, është edhe aspekti moral, është edhe aspekti dhe raporti shoqëror që njeriu të jetë më i disiplinuar prej 12 muajve për shkak se Zoti zbret mëshirë dhe është falës në këtë muaj", deklaroi Remzi Isaku, hoxhë. Ndërkohë, teksa besimtarët myslimanë po përmbyllin përgatitjet për fillimin e agjërimit, nga Enti hidrometeorologjik paralajmërojnë temperatura deri në 39 gradë celsius gjatë ditës së nesërme dhe fundjavës. Nga dita e hënë pritet mot i ndryshueshëm. "Nesër dhe gjatë ditëve të fundjavës sërish do të jemi nën ndikimin e masës ajrore të nxehtë, me diell dhe mot shumë të nxehtë. Nesër temperatura maksimale pritet të arrij 30 deri në 37, ndërsa të shtunën dhe të dielën temperaturat do të rritën për dy shkallë, që do të thotë nga 32 deri në 39 gradë në tërë vendin, kuptohet më nxehtë do të jetë në pjesën jugore të vendit. Të dielën pasdite, do të vijojë ndryshim i gjendjes së motit i shoqëruar me vranësira dhe reshje shiut. Mund të themi se deri në fund të javës që vjen, por edhe deri në fund të muajit nuk presim temperatura shumë ta larta. Temperaturat do të lëvizin prej 25 deri në 33 ose 34 gradë celsius", u shpreh Kostadinka Arsovska, sinoptike. Muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon më 18 gusht, me festimin e Fitër Bajramit. Melihate Rustemi
Be the first to comment