Rasti 'Sinani', drejtësia nuk funksionon!

  • 9 years ago
Akuza të reja kundër kryetarit të komunës Çuçer Sandevë Jovan Pejkovski i cili u bë i njohur për opinionin, për mos lejimin e investimeve të shqiptarëve në komunën e tij. Edhe ish kryetari i kësaj komune Voislav Kirangjiq e akuzoi Pejkovskin për paragjykime fetare, dhe se qëllimisht po i pengon investimet që nuk janë të maqedonasve apo serbëve.
"Unë mendoj se kryetari i tanishëm bën një politikë të tijën. Mendoj se ai i ndanë qytetarët në myslimanë dhe të krishterë dhe mendoj se u bën presion kur ata kanë nevojë të nxjerrin ndonjë dokument në komunë. Kjo po tregohet edhe me këtë rast. Sinani ka leje ndërtimi, ndërsa ai me këmbëngulje, e pengon atë që të ndërtojë megjithëse zotëria filloi të ndërtojë që nga viti 2007", deklaroi Voislav Kirangjiq, ish kryetar i komunës Ç. Sandevë
Kirangjiq thotë se gjatë kohës që ka qenë kryetar komune, i kishte kërkuar Isni Sinani dokumentet për të parë a janë të kompletuara në mënyrë që t'i japë lejen e ndërtimit. Sinani ia kishte dorëzuar, dhe pas shqyrtimit të tyre, nuk u vërejt asnjë pengesë ligjore që të realizohet ndërtimi i pikës së benzinës.
"Aspak nuk është e vërtetë ajo se Sinani nuk i ka dokumentet e kompletuara. Unë i thashë le t'i grumbullojë të gjitha dokumentet dhe, së bashku ta zgjidhim këtë. Ai kishte dokumentacionin e kompletuar dhe ne i ndamë leje për ndërtimin e pikës së benzinës në vitin 2007. Tani unë nuk e di përse, që nga ajo kohë e deri tani, pengohet realizimi i këtij investimi. Unë garantoj që administrata ka vepruar saktë sipas ligjeve", tha Voislav Kirangjiq, Ish kryetari i komunës Ç. Sandevë.
Isni Sinani para disa ditësh e akuzoi kreun e komunës Jovan Pejkovskin se i ka kërkuar ryshfet. Pasi Sinani nuk ia ka paguar shumën e kërkuar nga Pejkovski, inspektori ndërtimor i komunës së Çuçer Sandevës i ka vendosur ndalesë për ndërtimin e pikës së benzinës. Për disa muaj Sinani është orvatur nëpër gjykata dhe në fund, ajo ka vendosur në favor të tij. Por, edhe pas vendimit të plotfuqishëm të gjykatës, Sinani ende nuk mund të ndërtojë pompën e tij. Pejkovski para një jave në telefon konfirmoi se Sinani dhe inspektori i mëparshëm ndërtimor Xhelal Jusufi dhe ish kryetari i komunës, Voislav Kirangjiq kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, ndërsa paralajmëroi edhe padi penale kundër të tre personave. Verica Pavlloska

Recommended