Gruevski: 'Dashuri për interes'; Ahmeti: 'Frika nga zgjedhjet';

  • 9 years ago
Koalicion jo i qëndrueshëm, jo-parimor dhe i ndërtuar në bazë të intrigave, me qëllim për të ardhur sa më shpejt në pushtet'. Kështu e komentoi kreu i partisë më të madhe VMRO DPMNE-së Nikolla Greusvki, arritjen e marrëveshjes për koalicion parazgjedhor mes LSDM-së dhe PDSH-së. Sipas Gruevskit, koalicioni i ri nuk ka themele dhe nuk ka bazë të shëndoshë, gjë që e bën atë jo të qëndrueshëm.
"Shihet qartë se shkojnë drejt një strategjie që me secilin të arrijnë marrëveshje. Ata nuk janë parti që dinë të mbajnë fjalën...sot mund të bëjnë koalicion e nesër ta prishin atë, që do të thotë se një gjë e tillë nuk më befason...Bëhet fjalë për një marrëveshje në bazë ë intrigave, të nënçmimeve të njëri-tjetrit, bëhet fjalë për koalicion jo-parimor. Më herët patëm mundësi të shihnim një koalicion mes Cërvenkovskit dhe Georgievskit, ndërsa tani, mes Cërvenkovskit dhe Thaçit. Njerëz që vetëm për shkak të interesave personale, me qëllim të ardhjes sa më shpejtë në pushte, tentojnë të ndërtojnë koalicione të çfarëdo baze. Në fakt, kur një koalicion nuk ka themele, kur nuk ka një mirëkuptim të shëndoshë, marrëveshje të shëndoshë në kuptim të sinqeritetit, ato në të shumtën e rasteve janë koalicione jo-stabile. Por koha do të dëshmoj nëse do të jetë apo jo ashtu", deklaroi Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë lideri i BDI-së Ali Ahmeti deklaron se është frika nga zgjedhjet lokale, ajo që e shtyu Thaçin drejt koalicionit me LSDM-në.
"Është mirë kur ka afrime, kur ka koalicione, por është herët për të bërë vlerësime sepse duhet të shihet fundi dhe duhet të shihet se si do të menaxhohet ky proces. Përshtypja ime është se zoti Thaçi është frikësuar për zgjedhjet lokale që bën koalicione të parakohshme", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
RDK-ja e Osmanit shprehet se është vetëm 'pro' koalicioneve etnike brenda shqiptare për përforcimin e pozitës së shqiptarëve përballë asaj maqedonase, për të cilën sipas Izet Zeqirit RDK-ja ka dhënë edhe prova dhe ka shtrirë dorën e bashkëpunimit duke u nisur nga teza se 'bashkimi bën fuqi'.
"Ne si RDK nuk jemi për koalicione parazgjedhore multi-etnike me partitë maqedonase, as me LSDM-në as me VMRO-në. Ne nuk jemi për platformë të përbashkët me partitë maqedonase se pikërisht këto parti kanë pasur vulën e diskriminimit të shqiptarëve këto 22 vjet. U qofshin dhe i gëzofshin LSDM-në dhe VMRO-në dy partitë shqiptare në Maqedoni. Ne si RDK do të vazhdojmë të punojmë ta demaskojmë pushtetin duke kërkuar besimin nga shqiptarët sepse jemi opsioni i drejtë kombëtar dhe kredibil", u shpreh Izet Zeqiri, RDK.
Koalicioni parazgjedhor PDSH-LSDM do të jetë i pari mes një subjekti politik maqedonas dhe atij shqiptar. Koalicione të tilla nuk janë regjistruar asnjëherë zyrtarisht në Maqedoninë pluraliste. Bedri Rexhallari

Recommended