Partitë kundërshtojnë kufizimin e mandatit për krerët e komunave

  • 9 years ago
Ideja për kufizimin e mandatit të krerëve të komunave më shumë se dy herë është kundër parimeve njerëzore dhe zhvillimit të demokracisë, dhe një praktikë e tillë nuk ndodh në asnjë vend të zhvilluar. Kështu shprehen ministri i pushtetit lokal Nevzat Bejta dhe sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Andrej Petrov. Sipas tyre, me rëndësi është rezultati i treguar i krerëve të komunave dhe se barometri i vetëm për vlerësimin e punës së tyre janë qytetarët. Madje ministri Bejta thekson se në shtetet e zhvilluara nuk ndërrohen krerët e suksesshëm të komunave, derisa ai nuk gabon ose kur nuk mund të shënojë më rezultate në menaxhimin e komunës që drejton.
"Ne nuk mund të bëjmë ligj që të kufizohet se jemi kundër parimeve njerëzore dhe kundër parimit të zhvillimit të demokracisë. Unë, sa i kam njohuritë e mia si në Evropë dhe SHBA që kam qenë në një edukim special. Në SHBA atje ligji nuk e kufizon zgjedhjen e kryetarëve të komunave. Unë kam takuar kryetarë komunash në SHBA që ka vazhduar mandatin me votën e lirë të qytetarëve për 30 vjet"ka deklaruar ministri i pushtetit lokal, Nevzat Bejta.

"Ne këtë çështje nuk e kemi diskutuar në organet e partisë. Unë mund të them mendimin tim personal në lidhje me këtë. Kjo është diçka që nuk ekziston si praktikë në shtetet demokratike. Kryetari i komunës zgjidhet nga qytetarët për zgjidhjen e problemeve lokale dhe nuk ka praktikë që të kufizohet mandati i krerëve të komunave ...Në një shoqëri multi-etnike siç është Maqedonia me rëndësi është që mbështetja të jetë e madhe, pavarësisht nga përkatësia etnike qytetarët të japin mbështetje për politikat e një kryetari komune" u shpreh Andrej Petrov nga LSDM-ja.

Nga RDK-ja theksojnë se nëse miratohet një dispozitë e tillë, ajo të vlejë edhe për të zgjedhurit e tjerë që kanë legjitimitet politik si deputetët, ministrat dhe të tjerët.
"Ky parim do të duhej të vlente edhe për të zgjedhurit e tjerë që kanë legjitimitet politik, posaçërisht deputetët, ministrat e kështu me radhë. Në këtë rast mendoj që partitë politike duhet të jenë të ndërgjegjshme në propozimin e kandidatëve, dhe kandidatët që duhet t'i propozojnë duhet të respektojnë parimin e efektivitetit dhe efikasitetit, përkatësisht rezultatin, performancën e realizuar gjatë qeverisjes së kryetarit të komunës" theksoi Izet Zeqiri nga RDK-ja.

VMRO-DPMNE dhe PDSH nuk u prononcuan rreth kësaj ideje, me arsyetimin se nuk është diskutuar në organet e partisë. Gjyltene Rexhallari

Recommended