Musliu: 'Mos-angazhimi i BDI-së, forcon opozitën'

  • 9 years ago
Mos angazhimi i partisë shqiptare në pushtet, BDI-së në përmbushjen e premtimeve zgjedhore sa i përket çështjeve kryesore për shqiptarët, ka ndikuar që të ulet besueshmëria e qytetarëve tek ky subjekt politik dhe të rritet besueshmëria ndaj partive opozitare. Kështu vlerëson analisti politik Albert Musliu, duke komentuar rezultatet e anketës së fundit mbi besueshmërinë e qytetarëve ndaj partive politike. Respektivisht në këtë anketë për herë të parë dallimi mes BDI-së dhe PDSH-së është vetëm 1,3 për qind ndërkaq së bashku përqindja e partive opozitare PDSH dhe RDK-së kalojnë atë të partisë në pushtet.
"Një temë që është shumë e rëndësishme për shqiptarët, integrimet euro-atlantike kanë ngecur pa ndonjë shpresë apo qartësi se kur mund të zhbllokohen, ato janë çështje shumë të rëndësishme për shqiptarët dhe gjithsesi një percepcion që është prezent te popullata shqiptare në Maqedoni, partia e koalicionit VMRO-DPMNE nuk ka një sjellje korrekte ndaj partnerit të vet të koalicionit prandaj kemi një zhgënjim tek popullata shqiptare", deklaroi Albert Musliu, analist politik.
Ndërkaq duke komentuar marrjen e përqindjes më të madhe të opozitës shqiptare për sa i përket përmbushjes së premtimeve, se sa partia në pushtet, Musliu e shpjegon me faktin që opozita shfrytëzon në favor të vet çdo dështim dhe ngecje të proceseve që shkakton BDI.
"Kemi një aktivitet goxha më të madh të opozitës shqiptare, dy partitive shqiptare. Ngrenë tema interesante që janë me relevancë tek shqiptarët, tentojnë që çdo dështim që ka partia në pushtet e ka ta potencojnë, dhe ky është shkaku pse besueshmëria te to ritet ndërsa bie te partia shqiptare në pushtet", u shpreh Albert Musliu, analist politik.
Këto komente të analistit Musliu vijnë një ditë pas publikimit të anketës mbi besueshmërinë e partive politike të realizuar nga Instituti Dimitrija Çupovski sipas të cilës në rast se zgjedhjet do të mbaheshin tani për BDI-në do të votonin 6.2 për qind, për PDSH-në, 4.9 për qind dhe për RDK-në 1.5 për qind, që të dyja së bashku kanë përqindje më të lartë se BDI-ja në pushtet. Ndërkohë sa i përket realizimit të premtimeve shqiptarët sipas kësaj anketa kanë besim për 0.1 për qind më të lartë për PDSH-në, respektivisht për partinë e Thaçit janë shprehur 6.7 për qind se realizon premtimet kurse për BDI-në 6.6 për qind. Semra Jakupi

Recommended