Opozita përmes ndryshimeve të propozuara në ligjin për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, synon të mësoj për borxhin që qeveria ka ndaj kompanive të ndryshme, si dhe sa mjete janë harxhuar për projektin 'Shkupi 2014'. Deputeti i RDK-së Izet Zeqiri theksoi se nëse të zgjedhurit e popullit arrijnë me vështirësi deri tek informatat me karakter publik, atëherë sipas tij çfarë ndodhë me gazetarët dhe qytetarët e rëndomtë.
"Kërkesën që e kemi parashtruar rreth ligjit ka për qëllim që ta detyrojmë qeverinë që të publikoj shifrat për borxhin që i ka ekonomisë. Ky problem është aq serioz sa që një numër i kompanive maqedonase vijnë në situatë që të mos munden në mënyrë të rregullt ti kryejnë obligimet e tyre, parasëgjithash për shkak se nuk mund ti marrin të hollat e tyre nga qeveria e republikës së Maqedonisë", deklaroi Marjanço Nikollov, LSDM.
"Ne pretendojmë të kemi një shoqëri demokratike kurse qasja në informatat me karakter publik ka kufizime edhe atë kjo padyshim paraqet shkelje të drejtave dhe lirive të njeriut. Sot nuk mund të kemi gazetari investiguese pa mos pasur qasje në informatat e karakterit publik. Mirëpo në RM të gjitha institucionet i përcjellin skandale dhe rastet që të mos marrin publicitetin e madh nga zbulimi i gazetarëve dhe të tjerëve, ata informata mbahen të mbyllura në mënyrë hermetike, siç është borxhi që u ka shteti ndaj kompanive", u shpreh Izet Zeqiri, RDK.
Ndërkohë ndaj akuzave të Nikollovit dhe Zeqirit nuk u përgjigjën deputetët e partive më të mëdha të mazhorancës VMRO-DPMNE dhe BDI, por në mbrojtje u vunë deputetët e partisë socialiste si Vlladanka Aviroviç dhe Malisha Stankoviç. Ky i fundit madje propozimin e cilësoi si tentim për përfitim të pikëve politikë.
"Sa është reale kërkesa e juaj, e nevojshme dhe e domosdoshme dhe të koncentrohemi në vetë ligjin, sepse sërish këtë debat sipas meje do ta shndërrojmë në përplasje të përditshme politike të ndërlidhura me projektin Shkupi 2014, apo me tezat e juaja për të cilat e dini që më parë se nuk pajtohemi. Të debatojmë konkretisht rreth ligjit që të shohim se çfarë përmirësoni ju me këtë propozim dhe çfarë përparësie do të kenë qytetarët me këtë që ju kërkoni të shpallet publikisht", tha Malisha Stankoviç, PS.
Ndryshe në rend dite të kësaj seance janë edhe njësorë ligjesh të propozuara nga opozita si propozim ligji për çmimet shtetërore dhe ai për avokatin e policisë. Bedri RExhallari
Comments