Për shkak të motit të nxehtë dhe përfshirjes së më shumë rajoneve të vendit në fazën portokalli e cila paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve, qeveria vendosi që institucionet shtetërore dhe ato private të punojnë me orar të shkurtuar. Po ashtu rekomandohet që personat që punojnë në hapësira të hapura t'i ndërpresin ato në periudhën nga ora 11 deri në orën 17. Kjo masë vlen 7 ditë, me mundësi për vazhdimin e mundshëm të saj.
"Organet shtetërore dhe ndërmarrjet publike prej nesër të ri-organizojnë orarin e punës nga ora 7 deri në orën 15. Po ashtu qeveria i rekomandon edhe sektorit privat të ri-organizojë orarin e punës në periudhën e njëjtë. Qeveria dhe organet përgjegjëse do të ndjekin me vëmendje situatën dhe nëse ka nevojë do të ndërmerren masa në bazë të plan veprimit për parandalimin e pasojave nga vala e të nxehtit ndaj popullatës. Edhe kopshtet e fëmijëve duhet të organizojnë orarin e punës në periudhën prej 7 deri në orën 17 si dhe të mos praktikohet aktivitet fizik dhe të mos nxirren fëmijët jashtë, pas orës 11. Qeveria ka marr qëndrim që të gjitha subjektet juridike që realizojnë punime në hapësira të hapura t'i ndërpresin ato në periudhën prej orës 11 deri në 17. Kjo vlen veçanërisht për punëtorët e ndërtimtarisë", deklaroi Aleksandar Gjeorgjiev, zëdhënës i qeverisë.
Qeveria po ashtu u ka rekomanduar komunave, Kryqit të Kuq dhe qendrave për punë sociale që t'u dalin në ndihmë personave të pa strehë, të moshuarve dhe atyre që kanë probleme shëndetësore. Po ashtu qeveria iu kujtoi edhe punëdhënësve që t'i respektojnë rekomandimet e dhëna e në veçanti ata që kryejnë punë që janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. Në këtë drejtim qeveria u bëri thirrje edhe qytetarëve që t'i përmbahen rekomandimeve të mjekëve, për të evituar daljen në publik gjatë orëve të të nxehtit të madh, si dhe të konsumojnë më tepër lëngje. Gjyltene Rexhallari
Comments