'Plaku i Llojanit melhem për nervozë', kështu u shpreh sot deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu derisa kërkoi pauzë njëorëshe për shkak se fjalimet e deputetëve shqiptarë nuk arrijnë tek veshi i qytetarit në gjuhën shqipe por i dubluar. Fazliu me këtë rast deklaroi se ai dhe partia e tij do të vazhdojnë në kontinuitet të kërkojnë pauzë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre që fjalimet e deputetëve shqiptarë të mos dublohen por të emitohen në origjinal.
"Ne vazhdojmë edhe sot të tërheqim vëmendjen, të kërkojmë që ky problem sa më parë të zgjidhet dhe kuptohet që kërkesa jonë vazhdon që të kërkojmë pauzë. A për ju si kryetarë i parlamentit e shohim se gjithmonë këto kërkesa tona shkaktojnë ndoshta ndonjë nervozë, unë e them që është e kot dhe nuk bën që ju të bëheni nervoz, sepse edhe po që se bëheni nervoz, përgjigjen më të mirë për ketë nervoz të juajën do ti pyesësh këto të BDI-së ata e njohin shumë mirë një plak të Llojanit që e kanë marrë përgjigjen, andaj edhe vlen për çdo nervozizëm të juajën vlen përgjigja e atij plaku edhe për ju, andaj në emër të grupit parlamentarë të PDSH-së kërkojmë pauzë prej një ore", deklaroi Bekim Fazliu, PDSH.
"Zoti Bekim Fazliu, kërkon pauzë prej një ore, që t'i dëshmoj se nuk jam nervoz dhe se ai është më shumë nervozë, jo një orë por dy orë pauzë", tha Trajko Velanoski, kryetar i Parlamentit.
Kohë më parë për kërkesën e PDSH-së u mblodh edhe këshilli i kanalit kuvendor, ku mazhoranca propozoi formimin e një grupi punues i cili do ta shqyrtojë këtë problematikë, ndërkohë që PDSH-ja propozoi katër konkluzione, ndër to edhe atë që në dual 1 të shkojë toni origjinal derisa në dual 2 ai me dublim. Ndryshe nga partia e Thaçit më herët janë kërcënuar se do t'i ashpërsojnë veprimet e tyre duke mos përjashtuar bllokimin total të Kuvendit. Bedri Rexhallari
Comments