VMRO Popullore pyet qeverinë pse vendos përmendore emrat e të cilave nguron t'i thotë. Kësaj radhe përplasja mes partisë së Georgiervskit dhe asaj të Gruevskit ishte për shkak të Todor Aleksandrovit. Busti i të cilit është vënë në lagjen Kisella Vodë, por i njëjti nuk emërohet me emër e mbiemër por si 'ushtari në kali', ngjashëm sikurse edhe me përmendoren e Aleksandrit. Nga partia e Georgievskit u shprehën se kanë angazhuar një grup ekspertësh për të vërtetuar identitetin e kësaj përmendore, duke thënë se bëhet fjalë për Todor Aleksandrovin.
"Me qëllim të pastrimit të të gjitha dilemave dhe paqartësive, VMRO-Popullore menjëherë pas vendosjes së përmendores angazhoi disa ekipe profesionale që të vërtetohet identiteti i vërtet i 'Vojvodës në kali'. Me kënaqësi të veçantë Ju informojmë për rezultatin nga analiza në të cilën ekipet profesionale kanë konstatuar se sigurisht 'Vojvoda në kali', është Todor Aleksandrov. Përshëndesim autorin e përmendores për këtë përzgjedhje, sepse Todor Aleksandrov meriton një rehabilitim të plotë historik", tha Vane Cvetanovski, VMRO-Popullore.
Cvetanovski parashtroi edhe një pyetje të drejtpërdrejtë për zëdhënësin e ri të Qeverisë Aleksandar Gjorgjiev, 'A e din ai se kush është Todor Aleksandrov', megjithatë ky i fundit nuk dha përgjigje konkrete, por theksoi se qeveria kontribuon në realizimin e projekteve, dhe se për pyetjen konkrete duhet drejtuar tek autoritetet lokale të Komunës së Kisella Vodës.
"Çështja rreth ndërtimit të përmendoreve është çështje e karakterit lokal, konkretisht për këtë arsye do t'ju sugjeroja që ti kërkoni ata të komunës së Kisella Vodës. Detyra jonë këtu është të kontribuojmë në realizimin e projekteve që janë të rëndësishme për qytetarët dhe jo ta harxhojmë energjinë në perceptime personale, për gjendje të caktuara, projekte dhe tjera politika të cilat po realizohen", u shpreh Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i qeverisë.
Ndryshe Komuna e Kisella Vodës nuk ka aprovuar vendimin e vendosjes së përmendores së Todor Aleksandrovit në territorin e saj. Tërë ideja se si do të ndërtohet një përmendore, në të cilën do të tregohet vojvoda maqedonas ishte e autorit Mile Bërsevski, bëri të ditur kohë më pare kreu i komunës Marjan Gjorçev. Bedri Rexhallari
Comments