Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mbështetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën. "Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga është vendim i një organi të lartë dhe të pavarur, të cilin e mbështes dhe respektoj plotësisht si kryeministër i Qeverisës së Republikës së Kosovës", thuhet në deklaratën e kryeministrit Thaçi. Por kundër këtij interpretimi është shprehur Kryetar i Komisionit ad hoc për amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami. "Një interpretim i tillë i ngushtë paraqet ndërhyrje të kësaj Gjykate në procesin Kushtetutëdhënës, njëherit kjo mund të shihet edhe si ndërhyrje në kompetencat e kuvendit për miratimin dhe ndryshimin e kushtetutës", thuhet në letrën e Bajramit. Por ai vlerëson se përgjegjës për menaxhimin e situatës kushtetuese dhe politike të krijuar janë vetë partitë të cilat edhe kishin inicuar interpretimin nga gjykata kushtetuese. Jahjaga ishte zgjedhur presidente e Kosovës më 7 prill të vitit 2011 pas një marrëveshje midis liderëve politikë për tejkalimin e krizës dhe situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, zgjedhja e Behxhet Pacollit në postin e presidentit, në shkurt të vitit 2011, ishte jokushtetuese. Me këtë marrëveshje përfshihej edhe pajtimi për ndryshimin e Kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë. Por, interpretimi që i bëri kushtetuesja mandatit të Jahjagës edhe atë me kërkesë të vetë partive përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve para skandimit të mandatit të saj pesëvjeçar të presidents Atifete Jahjaga që bënë të pavlefshme edhe marrëveshjen e arritur nga subjektet e mëdha politike me ndërmjtësim të ambasadorin amerikan Kristofer Dell. Ndërkohë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është mirëpritur nga Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe njëherit përfaqësues i veçantë i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. "Unë besoj se institucionet relevante tani do të bëjnë maksimumin e tyre për të siguruar zbatimin e shpejtë të të dy vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese," ka thënë përmes një deklarate për media, Smauel Zhbogar. Alsat-M
Comments