Ministria e Brendshme vazhdon ta injorojë gjuhën shqipe

  • 9 years ago
Ministria e Brendshme vazhdon të injorojë gjuhën shqipe. Kjo sot edhe njëherë u vërtetua nga kreu i këtij dikasteri, Gordana Jankullovska. Ajo gjatë shpërndarjes dhe prezantimit të fletushkave për informim të turistëve dhe qytetarëve me prejardhje nga Maqedonia në Aeroportin 'Aleksandri i Madh' nuk shpërndau të njëjtat edhe në gjuhën shqipe edhe pse numri më i madh i qytetarëve që erdhën nga Vjena në atë çast ishin shqiptarë.
"Nëpërmjet shpërndarjes së fletushkave me përmbajtje të ndryshme tentojmë që qytetarëve t'u ofrojmë informacione për Republikën e Maqedonisë", deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Ky ishte vlerësimi i ministres, po pa treguar se cili ishte shkaku që të njëjtat nuk u shpërndanë edhe në gjuhën shqipe. Ndërkohë njëjtë sikurse Jankullovska, edhe ministri i Jashtëm Nikolla Popovski tha se nëpërmjet këtyre fletushkave dhe informacioneve për udhëtarët, tek turistët por edhe mërgimtarët tanë do të ritet niveli i informimit të tyre me rregullat që duhet t'i përmbushin gjatë qëndrimit në Maqedoni.
"Në kuadër të aktiviteteve të Ministrisë së Jashtme këtë fushatë e zhvillojmë edhe jashtë shtetit nëpërmjet rrjetit të përfaqësive tona diplomatiko-konsullore dhe si qëllim kemi që të informojmë qytetarët tanë në mërgim rreth obligimeve që duhet t'i përmbushin gjatë udhëtimit të tyre por gjithashtu edhe ti bëjmë shërbimet tona më të kapshme", deklaroi Nikolla Popovski, Ministër i Jashtëm.
Fletushkat për informim të turistëve dhe qytetarëve me prejardhje nga Maqedonia do të shpërndahen nëpër të gjitha vend-kalimet kufitare të vendit. Kjo është fushatë e Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme dhe deputetëve të diasporës së Maqedonisë. Valmir Kuçi

Recommended