Belgjikë, 'veshje nga letra'

  • 9 years ago
Në shikim të parë duken se janë punuar nga mëndafshi, kadifeja apo edhe nga pambuku i cilësisë së lartë, por këto kreacione të shkëlqyera të artistes dhe kreatores belge Izabel De Borçgrave, i tejkalojnë kufijtë e industrisë së tekstilit. Modelet ekstravagante që janë të inspiruar nga shekujt 17, 18 dhe 20, nuk janë punuar nga pëlhura, por nga letra. Gjithsesi, ato nuk mund të përdoren si veshje, por gjithkush do të mahnitet me ngjashmërinë dhe origjinalitetin e tyre. Dizajnuesja punon me 18 ndihmëset e saja që i ndihmojnë letrën ta shndërrojë në vepër të përkryer.
"Gjithçka fillon nga një pjesë e këtillë e letrës. Në këtë punë materiali nuk është aspak i shtrenjtë. Pasi të përpunohet, kjo bëhet fustan", tha Izabel De Borçgrave, dizajnuese.
Përpunimi i një fustani nga periudha e renesancës italiane, nuk është aspak i lehtë, thotë Izabela. Letra në fillim në mënyrë precize duhet të bëhet palë dhe të laget, ndërsa më pas formësohet dhe ngjyroset.
"Procesi është i ndërlikuar. Shpesh ndodhë që një model ta punojmë disa herë deri sa nuk fillon të duket se është punuar në ndonjë fabrikë tekstili", tha Izabel De Borçgrave, dizajnuese.
Për punimin e kreacioneve, kjo studio për një vit harxhon më shumë se 4 kilometra letër. Pasi në shkurt të vitit të kaluar Izabela bëri atraksion të vërtetë me ekspozitën e saj në San Francisko, gjatë verës të gjitha kreacionet e saja do të ekspozohen në muzeun "Hilwud" në Uashington. Ekspozita mbyllet më 30 shtator. Petar Bllazhevski

Recommended