Thaçi: 'Nëse fitoj do të pranoj postin e zëvendëskryeministrit'

  • 9 years ago
Në rast se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në bllokun politik shqiptar do të fitojë PDSH-ja, atëherë zv/ kryeministër i Qeverisë do të jetë lideri i këtij subjekti politik Menduh Thaçi. Këtë e konfirmoi mbrëmë në një emision debativ në RTK vetë Thaçi.
"Kur është kryetari i partisë që është në koalicion në raport me kryeministrin nuk është njësoj kur është ai i pesti apo i gjashti. Kjo është motoja që nëse marr mbështetje për këtë platformë zgjedhjet e ardhshme do ta pranojë postin e zv/ kryeministrit, me kusht të ketë vetëm një zv/ kryeministër dhe këtij ti jepet kompetenca e ndarjes së buxhetit", deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Numri një i PDSH-së foli edhe për konfliktin e vitit 2001. Ai tha se shpreh respekt për të gjithë ata që kanë kapur pushkën, por se në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohet me klikat që keqpërdorin luftën për motive politike dhe ekonomike. Ndërkohë tha se zhvillimet e viteve të fundit në Maqedoni, tregojnë se Marrëveshjes së Ohrit i ka kaluar koha, duke thënë se duhet një marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
"Kalojnë vite kalon kohë dhe ne ngecim në vend. Një familje që ka dy anëtarë, për 20 vjet mund të bëhet për 13 anëtarë dhe duhet ndërtesa të mbi-ndërtohet. Çka duhet të mbi-ndërtohet në Marrëveshjen e Ohrit? Çështje e buxhetit dhe vendimmarrjes. Nuk mund të krijohet Qeveria e Maqedonisë pa u marr vesh për këto dy çështje të kësaj platforme", u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Duke folur për projektin Shkupi 2014, lideri i PDSH-së Thaçi tha se ai projekt ka filluar të ndërtohet në kohën kur në Qeveria ka qenë BDI e Ali Ahmetit.
"Unë nuk e përjashtoj mundësinë që në kokën e Gruevskit të kishte pasur kësi projekti, por me plot përgjegjësi u them se në kohën time ai nuk ka arrit asnjë gozhdë dhe asnjë tullë ta vendos për këtë projekt, dikush i ka rezistuar kësaj. E dyta, nocioni Shkupi 2014 për herë të parë përmendet në dokumentet e Qeverisë në kohën e Ali Ahmetit dhe tre, ju lutem, një nocion bëhet efektiv kur ju ndani mjete buxhetore për atë projekt, nëse është nda një mjet buxhetor në kohën e qeverisjes time për atë projekt unë kurrë më nuk do të merrem me këtë punë, por mjetet buxhetore që janë 600, 700 800 milion euro janë nda në kohën e z. Ahmeti", theksoi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi tregoi gjithashtu se përse erdhi deri tek ndërprerja e bashkëpunimit me Rufi Osmanin, duke shtuar se qëllimet i kanë diametralisht të kundërta. Thaçi tha se interesi madhor jetik i Osmanit është të bëhet edhe një herë kryetar komune. Shkëlzen Aqifi

Recommended