'Shtipi', përplas Cërvenkovskin dhe Gruevskin

  • 9 years ago
'Maqedonia lindore po zbrazet', kështu u shpreh sot lideri i LSDM-s opozitare Branko Cërvenkovski në Shtip, ku po zhvillon aktivitetet e partisë së tij rreth prezantimit të kandidatit të tyre për kryetarë të kësaj komune. Sipas Cërvenkovskit mungesa e infrastrukturës pamundëson zhvillimin ekonomik të Maqedonisë lindore, gjë që sipas tij ngulfat edhe investimet si të brendshme po ashtu edhe të jashtme.
"Sot jetohet rëndë në gjithë Maqedoninë. Gjendja është vërtet katastrofale. Megjithatë, në Maqedoninë lindore mendoj se jetohet më vështirë se kurdoherë. Papunësia këtu është më e madhe, varfëria më e madhe, investime nuk ka , vende të reja punë nuk ka, perspektivë për të rinjtë nuk ka. Ata po shpërngulen, po i braktisin qytetet e tyre të lindjes, nataliteti po shënon rënie. Me një fjalë Maqedonia lindore po zbrazet", deklaroi Branko Cërvenkovski, kryetar i LSDM-së.
Lideri opozitarë përveç kritikave ka ofruar edhe zgjidhje. Sipas tij kjo situatë mund të tejkalohet me ndërtimin e një infrastrukture moderne sepse pa të nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, nuk mund të ketë investime, qofshin të vendit apo nga jashtë. Megjithatë me konstatimet e liderit opozitarë nuk pajtohet kryeministri aktual dhe njëherit kryetar i VMRO-DPMME-së, i cili numëroi hapjen e zonës së lirë ekonomike dhe universitetin shtetëror po në këtë qytet.
"Shtip është qytet i cili në kohën e Branko Cërvenkovskit ishte i lënë shkret me tranzicionin dhe me mbylljen e qindra fabrikave të tekstilit dhe me mijëra njerëz të mbetur pa punë. JO vetëm që u mbyllën shumë fabrika të tekstilit në kohën kur ai ishte kryeministër, por LSDM-ja ashpër kundërshtoi edhe hapjen e Universitetit në Shtip. Ndërsa ky universitet gjallëroi këtë qytet ngase solli mijëra të rinj nga Maqedonia lindore" , tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Sipas Gruevskit, VMRO-DPMNE-ja në Shtip ka hapur zonën e lirë ekonomike ndërsa investimi i parë në atë zonë është bërë nga Jonson Kontroll. Ndryshe përplasjet mes këtyre dy subjekteve më të mëdha politike paralajmërojnë një fushatë të ashpër zgjedhore, për zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në mars të 2013. Bedri Rexhallari

Recommended