Tiranë-Presidenti, takohen Berisha e Rama

  • 9 years ago
Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama pritet të takohen mesditën e të dielës për arritjen e një presidenti konsensual. Burime nga dy partitë thonë se takimi pritet të mbahet në kryesinë e Kuvendit dhe shtyrja e tij erdhi për shkak të axhendës së ngjeshur kryeministrit Berisha i cili do të përurojë disa investime nga Vlora deri në Sarandë. Ulja në tryezën e bisedimeve është vënë si kusht nga kreu i PS-së Edi Rama, në të kundërt ka paralajmëruar se nuk do të japë konsensusin për zgjedhjen e Presidentit të ri. Bashkë me këtë kusht, Rama renditi edhe tre të tjera që kanë të bëjnë me reformat, ndërkohë që vazhdoi të këmbëngulë në takimin në nivel kryetarësh.
Nga ana tjetër, presion për takim mes krerësh dhe jo të niveleve të tjera, ushtron edhe ai i LSI-së Meta i cili e shikon këtë si zgjidhjen që do të përshpejtonte këtë proces. Sipas Metës, Presidenti i ri mund të zgjidhet në raundin e dytë vetëm nëse takohen dy liderët kryesorë të politikës për të negociuar. Mbetet për t'u parë nëse ky takim do të mund të prodhojë një marrëveshje për një president konsensual. Nga ana tjetër Xhezair Zaganjori, kandidati i pa zyrtarizuar i dalë nga tryeza e mazhorancës, po vazhdon takimet në PS dhe të tjera, në një iniciativë vetjake të ndërmarrë për të njohur krerët e partive parlamentare me platformën e tij për drejtimin e shtetit. Medait në Shqipëri përflasin si një kandidat tjetër të pranueshëm për të dy palët, emrin e Pandeli Majkos. Ish kryeministër dhe deputet aktual i PS-së, Majko duket se është hedhur si propozim në tryezën PD-PS. Raundi i dytë për votimin në kuvend të presidentit, mbahet më 4 qershor. Admir Qose