Ka më shumë se 10 vjet që banorët e fshatit Reçicë e Vogël presin rregullimin e kanalizimit i cili përveç erës kundërmuese, përbën rrezik për ndonjë epidemi të mundshme. Banorët nuk i kursejnë akuzat as ndaj BDI-së dhe as ndaj PDSH-së, të cilat bëjnë premtime gjatë fushatës, por nuk i ofrojnë zgjidhje këtij problemi. Papastërtitë janë në prag të dyerve të shtëpive, ndërsa ndodh që brenda në shtëpi të gjenden edhe bretkosa të dala nga llogaçet e ndotura.
"Ujëra të zeza janë këto, të ndotura siç e shihni vetë, kemi pastruar vitin e kaluar, morëm një aksion vetë, e si komunë siç e shihni, po nuk morëm ndonjë lëvizje vet hipin krimbat, sëmundjet me siguri edhe ndonjë sëmundje mund të na paraqitet. Çdo herë kur bëhen zgjedhjet komunale thonë do vijmë, e sjellin një ekskavator këtu dhe bëjnë një orë, një punë të vogël dhe ikin. Votimet kalojnë dhe zhduken krejt ne ngelim sërish kështu si e shihni".
"Këto bretkosa që i shihni këtu, janë gati 20 vite. Këtu nuk kanë vendosur asnjë gozhdë, as komuna askush. Unë kam familjen këtu, çdo dy ditë shkojnë te mjeku, shkaku se nipërit i kam këtu. Komunës i kemi kërkuar po na kanë lënë pas dore, një herë ishte Hazbi Lika tani erdhi ky tjetri, erdhën veç kur kishte votime, i matën dhe ikën".
Alsat mëson se për kanalin në fjalë, Komuna ka një projekt, por ai nuk dihet se kur do të zbatohet. Neglizhenca e deritanishme i bën banorët të humbin besimin, dhe të shprehin mllefin ndaj politikës.
"Kjo, jo veç neve po gjithkujt i pengon, kjo është turp nuk di çfarë të them. Gjithëve u kemi bë kërkesa krejt na kanë premtuar si BDI si PDSH po askush asgjë. Vijnë këtu vetëm pesë ditë kur është kampanja e votimeve dhe nuk i shef askund".
"Unë jam banor i kësaj lagjeje, vërtetë është turp, të mos investohet një kanalizim, premtime ka pasur por realizime hiç, kjo është lagje e ngarkuar, shumë fëmijët kalojnë këndej".
Në kanalin e ndotur shihen papastërti të shumëllojshme. Më të vështira janë mbetjet plastike, bidonë dhe sende të tjera, të cilat shërbejnë si një vatër e madhe sëmundjesh. Mbi këto papastërti, të vetmet që i gëzohen janë bretkosat. Kuakjet e tyre duket se do të dëgjohen edhe për shumë kohë në këtë fshat. Bashkim Sulejmani
Comments