Në Sllupçan përkujtohen 10 martirët e familjes Zymberi

  • 9 years ago
Në Sllupçan të Komunës së Likovës, sot u përkujtuan 10 anëtarët e familjes Zymberi të cilët, 11 vite më parë gjatë konfliktit të armatosur në vend kishin humbur jetën në bodrumin e shtëpisë së tyre. Në varrezat e dëshmorëve mbi fshatin Sllupçan, janë varrosur edhe martirët e familjes Zymberi. Varrezat e të afërmve të tyre, sot i pastronin fëmijët e familjes Zymberi. Kryefamiljari Nejazi Zymberi, dëshmitari i gjallë i tragjedisë së familjes së tij kujton momentet e shpërthimit të predhës në bodrumin e shtëpisë ku ata ishin strehuar. "Në vendin ku ka krisur aty kam qenë, por për fat nuk më ka gjet asgjë mua, rreth meje kishte të vrarë, të plagosur. Unë vetëm britmën e fëmijëve, nuk harrohet kurrë ajo deri sa të vdes. U bë pluhur aty, me njerëz bërtisnin, atë nuk e harroj kurrë, mos dhashtë Zoti të ndodhe ashtu. Kishte qenë më mirë me fëmijë e me gra të dalim në mal se sa në shtëpi, atëherë e kemi bërë një gabim të madh shumë, por duke iu besuar UÇK-së, kemi pasur shumë besim", tha Nejazi Zymberi -- kryefamiljar. Ndërsa duke folur për zhvillimet tani, 11 vite pas konfliktit kryefamiljari i Zymberajve ndjehet i zhgënjyer. "Mirë hiç jo, por , çka të bëjmë. Po dëgjoj muhabete, po shohim televizion, punët nuk janë të mira. Ne e kemi hangër një tym edhe po i dojmë shumë. Nuk mbet njeri i shëndosh. Kanë mbet gjallë por të shëndosh sikur kemi qenë përpara jo", tha Nejazi Zymberi, kryefamiljar. Për të përkujtuar 10 anëtarët e familjes Zymberi, në varrezat e dëshmorëve ishte edhe kryetari i SHVL-së së UÇK-së Fazli Veliu i cili njoftoi të pranishmit që 24 majin SHVL-ja e ka shpallur si Dita e Martirëve të Kombit, për hir të familjes Zymberi. Më 24 maj të vitit 2001 nga shpërthimi i predhës në bodrumin e shtëpisë, jetën kishin humbur dhjetë anëtarë të familjes Zymberi. Selvije, Mersim, Hisnije, Neale, Jenuz, Suzane, Valbona, Nerimane, Fitore dhe Fitim Zymberi. Shkëlzen Aqifi

Recommended