Besimi: Mbrojtja dhe siguria, bazë për ndërtimin e një shoqërie të sigurt

  • 9 years ago
Modernizimi i metodave në ARM dhe në Ministrinë e Mbrojtjes me qëllim miratimin strategjik dhe operativ të vendimeve, është prej një rëndësie të veçantë për zhvillimin e mëtejmë të aftësive mbrojtëse si dhe rritjen e gatishmërisë ushtarake. Kështu u shpreh Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi gjatë fjalimit të tij me rastin e konferencës profesionale "MILCON 2012". Besimi gjithashtu tha se Ministria e Mbrojtjes do të aplikojë një qasje gjithëpërfshirëse gjatë tranzicionit dhe modernizimit të ARM-së.
"Mbrojtja dhe siguria e vendit janë baza për të krijuar një shoqëri të sigurt dhe të zhvilluar. Maqedonia ka një sistem kompleks të mbrojtjes, duke përfshirë më shumë institucione të vendit siç janë presidenti i shtetit, siç janë institucionet tjera, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshme dhe të tjera. Bashkëpunimi në këtë drejtim me qëllim që të sigurojmë paqen, sigurinë dhe stabilitetin janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Koncepti i mbrojtjes së mençur dhe anëtarësimi në NATO janë disa nga prioritet të cilat ne jemi të fokusuar në këtë drejtim", tha Fatmir Besimi, Ministër i Mbrojtjes.
Ndërkohë sipas ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska, procesi i planifikimit dhe miratimit të vendimeve gjatë operacioneve bashkëkohore ushtarake apo civile gjatë situatave të krizës paraqet një performancë bazike sipas të cilës edhe vlerësohet pjekuria dhe kapaciteti i institucioneve në një shtet.
"Zhvillimi sistematik i këtij segmenti të funksionimit institucional është prioritet "par ekselans", në drejtim të mirëmbajtjes dhe zhvillimit të tij të vazhdueshëm. Maqedonia gjatë periudhës së kaluar me seriozitetin më të madh u ballafaqua me këtë problematikë. Në këtë drejtim, në më shumë sektorë janë themeluar njësi të veçanta organizative detyrimi i të cilave është pikërisht menaxhimi, vlerësimi dhe planifikimi i operacioneve të dalura nga situata të krizës", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Për Shefin e Shtatmadhorisë së ARM-së, gjeneral-majorin Goranço Kotevski kjo konferencë është një rast ideal që të rishikohen lëshimet eventuale dhe nevojat për zhvillimin e procesit për miratimin e vendimeve, proces ky që duhet patjetër të jetë në bashkëpunim me planifikimin ushtarak e cili në të ardhmen do të marr dimension të ri. Të gjitha këto komente u bënë gjatë konferencës profesionale "MILCON2012" me temë "Procesi i planifikimit dhe miratimit të vendimeve gjatë operacioneve bashkëkohore- Ku jemi sot, ku duhet të jemi nesër?" Kjo konferencë u organizua nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Akademisë Ushtarake "Gjeneral Mihaillo Apostollski". Valmir Kuçi

Recommended