Brohorasin UÇK-UÇK, ushtarët 19 vjet në harresë!

  • 4 years ago
19 vite pas përfundimit të konfliktit të armatosur, statusi i ushtarëve të UÇK-së mbetet i pazgjidhur. Ushtarët shprehen të zhgënjyer nga zvarritja dhe mos interesimi i partisë shqiptare në pushtet për zgjidhjen e kësaj çështje.

Një pjesë e madhe e ish luftëtarëve, janë në gjendje të mjerueshme. Këtë e kam përjetuar në kurrizin tim - tha Agron Shaqiri, ish ushtar i UÇK-së.

19 vite pas, BDI-ja si parti e dalë nga konflikti i armatosur, përkundër premtimeve, nuk ka zgjidhur çështjen më të ndjeshme të ushtarëve, atë të statusit. Agron Shaqiri nga Përshefca e Tetovës, ish ushtar i UÇK-së, përkundër faktit se ka kryer dy fakultete, bukën e gojës e siguron duke punuar privatisht, pa asnjë ndihmë Institucionale.

Unë kam studiuar përveç gjuhë e letërsi shqipe jam profesor i lëmisë, jam edhe profesor i gjuhës dhe letërsisë maqedonase, dhe tani jam në përfundim të masterit për komunikim ndërkombëtar, por jam duke punuar në sektorin e informimit dhe pa asnjë benefit tjetër -deklaroi Agron Shaqiri, ish ushtar i UÇK-së.

I zhgënjyer me mos zgjidhjen e statusit të ushtarëve të UÇK-së, ai thotë se partitë nuk guxojnë të uzurpojnë meritat e 2001-shit.

Besoj se është e tepërt dikush të thirret ekskluzivisht sikur i takon UÇK-ja, sepse ajo ka qenë e popullit dhe e popullit do të ngel - tha Agron Shaqiri, ish ushtar i UÇK-së.

Edhe drejtuesi i OVL-së Besim Hoda shprehet i revoltuar me faktin se për këto vite partia shqiptare në pushtet ka njollosur luftën e ushtarëve.

Ata brenda këtyre 20 viteve kanë qenë njolla dhe turpi më i madh që i kanë vu emrit të UÇK-së, dhe vet kombit në përgjithësi. Unë besoj se nuk ka vend më për të folur në politikë për UÇK-në, sepse askush nuk e dha provimin dhe askush nuk e ruajti atë gjak dhe sakrificë të përbashkët gjithëkombëtare të atëhershme e cila kishte atribut kombi dhe jo individë apo persona të caktuar, e aq më pak subjekte politike të caktuara - tha Besim Hoda, Kryetar i OVL-së.

Si pjesëtarë të UÇK-së janë të regjistruar 4500 persona, 87 dëshmorë dhe rreth 80 invalid të luftës.

Për dallim nga mos zgjidhja e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve, Ligji për Branitellat, u miratua një vit pas përfundimit të luftës. I njëjti garanton shumë të drejta branitellave dhe familjarëve të tyre në të gjitha fushat, shëndetësi, arsim, punësim e pensione.

Bashkim Sulejmani

Recommended