Laboratori në Has, zbulohen fotot e dy prej të arrestuarve, mister financuesi i grupit
  • 6 years ago
Në emisionin REPOLITIX të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv janë zbardhur mbrëmjen e sotme detaje të reja për laboratorin e heroinës që u bllokua në fshatin Brenog të Hasit, ndërsa u sekuestruan mbi 100 kg heroinë e opium, por edhe kokainë dhe kanabis.

Mes pesë personave të arrestuar janë Mustaf Shuti 76-vjeç me djalin e tij, Xhevitin 48-vjeç dhe nipin A. Shuti 15-vjeç. I arrestuari i katërt është Flamur Çela, punonjës i zjarrfikëses në Kukës, i cili ndodhet në Drejtorinë e qarkut të Shkodrës, ndërsa të tjerët në Kukës. Ai dyshohet se ka qenë shofer i grupit kriminal që vepronte në Has.

Xhavit Shuti ka pasur një kompani udhëtarësh, por në 2013 ishte çregjistruar, pak kohë pasi e kishte hapur. Report Tv ka zbuluar se ka qenë edhe në Zelandën e Re. Xhavit Shuti ishte me banim në Durrës, ndërsa kishte të afërmit në Has.

Sipas burimeve të Report Tv, gjatë gjithë kohës policia e ka pasur grupin kriminal në vëzhgim duke zbuluar të gjithë rrjetin nga furnitorët deri te ekspertët. Janë përgjuar dhe vëzhguar personat që hynin e dilnin në laborator.
Recommended