Tapi "zgjedhore" 100 mijë shtëpive të ndërtuara pas vitit 2006

  • 9 years ago
Në prag të zgjedhjeve, qeveria vendos të futë në listën e legalizimeve 40 për qind më shumë banesa pa leje, se sa përfshiu në vitin 2006. Dje në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese u paraqit drafti i një ligji të ri për legalizimet, që lejon dhënien e tapive për 100 mijë banesa pa leje që janë ndërtuar pas afatit të fundit të parashikuar nga ligji përkatës, që ishte viti 2006. Kështu, veç 270 mijë banesave pa leje që përfshinte ligji aktual, tani do të hyjnë në sistemin e faljes në total 300 mijë shtëpi e objekte pa leje.

Sipas kreut të ALUIZNI-t Ardian Kollozi, fjala është për ndryshimin e lejes për të ndërtuar shtëpi në vartësi të largësisë nga rrugët nacionale. Me ligjin aktual, ndërtimet që janë në distancë më pak se 100 m nga rrugët kombëtare nuk legalizohen, ndërsa ndryshimi i paraqitur dje parashikon shkurtimin e kësaj distance në 25-30 metra.

Sipas opozitës, ky legalizim masiv ka faturë të lartë financiare, pasi, nëse parashikohet zgjerim rruge, shpronësimet do të jenë shumë më të shtrenjta se më parë, kur banesa pa leje mund të prishej pa kosto. Por, sipas zëvendësministrit të Punëve Publike e Transportit, Flamur Kuçi, projektligji heq nocionin për akset kombëtare, që ekziston aktualisht.

Deputeti socialist Eduard Shalsi e ka cilësuar draftin në fjalë si tallje me qytetarët shqiptarë pasi, sipas tij, bëhet për efekte elektorale. Në fund të diskutimeve deputetët kanë miratuar në parim projektligjin i cili parashikon ti japë fund njëherë e mirë procesit të ndërtimeve informale në vend.

Aktualisht janë deklaruar nga vetë qytetarët rreth 270 mijë ndërtime informale, ndërsa pritet të nisë forografimi ajror për rreth 100 mjë ndërtime, të evidentuara nga Banka Botërore.

Kryeministri Sali Berisha i kërkoi ministrit Olldashi në mbledhjen e qeverisë të 10 prillit verifikimin ajror të territorit të vendit për kryerjen e legalizimeve për ndërtimet e bëra pas vitit 2006.

Recommended