Me sytë nga emigracioni! Fermerëve lushnjarë u mbeten fruta-perimet nëpër fusha

  • 5 years ago
LUSHNJE - Mungesa e tregut në këtë periudhë të pikut të prodhimit ka bërë që fruta-perimet në fshatin Krutje të Lushnjes të mbeten nëpër fusha. Kjo ka bërë që fermerët të detyrohen dhe t'i shesin ato jo me kile por me arka me një çmim simbolik, gjë e cila sipas fermerëve po i falimenton. Fermerët shprehen se ata janë kthyer nga jashtë vendit për të investuar në vendin e tyre, por vështirësitë që po hasin këtu po i detyrojnë që t'i rikthehen sërish emigracionit.

"U ktheva nga Greqia për të investuar këtu. Po i shes produktet me arka. Nuk ka çmim. Po detyrohem që të kthehem përsëri në Greqi".

"Kam mbjellë me vëllain para 18 viteve 1600 rrënjë mollë. Ndërsa sot jemi katandisur. I kemi shkulur pemët. Është për të ardhur keq. Ne duam drejtim sepse kapitali jonë është toka. Duam një drejtim nga shteti, pasi tregun nuk e kontrollojmë ne".

Fermerët bëjnë thirrje që të merren masa dhe të hapen magazina grumbulluese apo frigoriferike si dhe industri agro-përpunuese që malli i tyre mos të shkoje dëm.