Avion droge në Gjadër? FA: NATO e mohon, S'ka asnjë fakt
  • 9 years ago
Tiranë- "Nuk ekziston asnjë fakt që të provojë hamëndësitë s shprehura javët e fundit në publik. Forcat e Ajrore disponojnë dokumenta nga strukturat e Aleancës që monitorojnë hapësirën ajrore të Shqipërisë të cilat konfirmojnë se nuk ka patur avionë në hapësirat e Shqipërisë në datat dhe në kohën që janë cituar në media", ky është qëndrimi që Shtabi i Përgjithshëm i FA ka mbajtur sot në lidhje me publikimet në media të një shkrese të SHISH ku hidheshin dyshime serioze për shfrytëzimin e aeroportit të Gjadrit, Lezhë në funksion të trasportit të drogës.
Përmes deklaratës për shtyp Shtabi i Përgjithshëm i FA thotë se nuk dëshiron të bëhet pjesë e debatit politik dhe se do të vërë në dispozicion të prokurorisë dhe Kuvendit të gjitha provat që vërtetojnë saktësinë e këtyre qëndrimeve.
Këto ditë media bëri publike një letër që kreu i SHISH, Visho Lika Ajazi i dërgoi ministres Kodheli ku informon se me datë 19.03.2014, rreth orës 07:00 të mëngjesit, në fund të pistës kryesore të Aerodromit të Gjadrit është ulur një avion i vogël sportive e më pas pranë tij është afruar një frugon "Iveko" me targa të Vlorës. SHISH dyshon se ky avion është përdorur për trafik lëndësh narkotike dhe se uljen e avionit e kanë konfirmuar dhe banorë të zonës.