A1 Report - Vdekja e Mandelës, ceremonia mortore do të behët në 15 dhjetor
  • 9 years ago
Afrika e Jugut - Qindra njerëz vazhdojnë të qëndrojnë jashtë shtëpisë së Nelson Mandela-s, në Houghton të Johannesburg-ut. Shumë prej tyre celebrojnë jetën e tij duke kërcyer e kënduar. Pritet që këto festime të vazhdojnë deri ditën e varrimit të tij.
Nelson Mandela kaloi 27 vite në burg, para se të bëhej Presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut në vitin 1994.
Ditën e enjte, 5 dhjetor ishte Presidenti aktual i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, ai i cili dha lajmin e vdekjes së Mandela-s. Zuma u shpreh se Afrika e Jugut humbi djalin e saj, ndërsa populli babain.
Presidenti Afrikës së Jugut bëri të ditur edhe programin e ditëve në vazhdim, deri në ceremoninë e varrimit të Mandela-s, në fshatin e tij të lindjes, në Qunu.
Dita e diel 8 dhjetor do të jetë dita zyrtare e lutjeve me një shërbim të veçantë fetar. Të martën 10 dhjetor do të jetë dita zisë kombëtare e cila do të mbahet në një stadium prej 95 mijë vendesh në periferi të Johannesburg-ut. Ndërkohë që arkivoli me trupin e pajetë të Mandela-s do të qëndrojë i ekspozuar nga e mërkura deri të premten, 13 dhjetor, në Pretoria.
Ceremonia e varrimit të ish-Presidentit afrikan do të mbahet më datë 15 dhjetor në Qunu, vendin ku Mandela u rrit. Linjat ajrore të Afrikës së Jugut kanë bërë të ditur se do të ofronin fluturime ekstra në mënyrë që të gjithë të kishin mundësinë t'i jepnin lamtumirën e fundit.
Ndër personat që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit do të jenë figura të larta të politikës, ku përfshihen të gjithë Presidentët amerikanë ende në jetë, Mbretëresha e Anglisë Elizabeta II, Kryeministri britanik David Cameroon dhe shumë të tjerë.