Pa Gjurmë-“Më ndihmoni, jam pa bukë”/14 vjeçari rom punon për të ushqyer motrat dhe vëllezërit

  • 4 years ago
Prej më shumë se dy muaj Shqipëria është përfshirë në situatën e pazakontë për shkak të përhapjes së virusit Covid-19. Kjo situatë izolimi ka gjetur të papërgatitur komunitete të caktuara të shoqërisë shqiptare dhe vetë institucionet për t?ju ardhur në ndihmë. Qëndrimi në shtëpi për komunitetin rom dhe egjiptian do të thotë të luftosh me urine. Të ardhurat mujore të pakta që ky komunitet merrte me anë të mbledhjes së mbetjeve të ricikluara apo tregtisë së rrobave të përdorura nuk u ka krijuar mundësinë për kursime apo rezerva ushqimore gjatë kohës së izolimit. Ne kemi shkuar në familjen Rama, një prej shumë familjeve të këtij komuniteti të cilët vuajnë për mungesën e ushqimeve dhe të ardhurave për të përballuar jetën. A mund të imagjinoni një 14- vjeçar, bashkëmoshatarët e të cilit kanë çdo gjë gati dhe e kalojnë kohën e lirë duke lozur, e ndërsa atij i duhet të shërbejë si shtylla e shtëpisë dhe të mbajë familjen vetëm me të ardhurat që ai siguron. Kledi ka zgjedhur që të largohet nga familja e tij dhe të ndihmojë familjen e tezes që prej braktisjes nga bashkëshorti i saj. Ky 14-vjeçar ka 2 ditë pa ngrënë, vetëm që fëmijëve të mos u mungojë ushqimi. Me 3 fëmijë të vegjël, Liljana Ramës, i duhet që ta fusë në punë nipin e saj për të siguruar ushqim. Ai e kalon ditën duke mbledhur kanoçe, dhe shuma që fiton nga shitja e tyre është shumë e ulët, sa për të blerë ndonjë ushqim. Frigoriferi në të shumtën e kohës është bosh dhe si të mos mjaftonin këto, kanë edhe borxhin e qirasë për të larë. Është shumë e vështirë për to që me aq të ardhura sa sigurojnë nga mbledhja e kanoçeve të plotësojnë të gjitha nevojat që kanë. Sa ironik është fati, për disa fëmijë dëshira më e madhe është të kenë sa më tepër lodra për të lozur , e ndërsa dëshira e Kledit 14-vjeçar është që të sigurojë kafshatën e bukës çdo ditë për fëmijët e tezes së tij.

Recommended