Rama për protestën e gazetarëve: Ata që publikuan lajmin se qeveria fshinte 100 të vdekur në morg
  • 4 years ago
Gjatë fjalës në Kuvend, kryeministri Edi Rama foli edhe për protestën që gazetarët po mbajnë jashtë Parlamentit teksa mazhoranca duket e vendosur për të votuar paketën anti-shpifje. Kreu i qeverisë tha se gazetarët që protestojnë janë shkelës së të drejtës së qytetarëve pasi sipas tij cënojnë integritetin e tyre me shkrimet që publikojnë. Rama përmendi dy shembuj konkret nga tërmeti i 26 nëntorit, sesi lajmet e rreme futën në kaos qytetarët ndërsa një qytetar humbi jetën vetëm pasi pa në portale se spitali i Durrësit ishte dëmtuar nga tërmeti.

"Nëse ligji gjerman do të kishte subjekte ata që janë tek dera e parlamentit, ata sot do të ishin të gjithë me borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljes së të drejtave të njeriut. Ata janë shkelës të drejtës së njeriut, që mos t'i cënohet në publik integriteti i tij, shkelës për të ndërtuar sipërmarrjen e tij të lirë, janë shkelës së të drejtës të shoqërisë për të qenë e mbrojtur nga pasojat e lajmeve të rreme apo shpifje. Më 26 nëntor ka vdekur një njeri i pafajshëm, ka humbur jetën një baba, dhe janë plagosur dhjetëra njerëz, sepse dikush nga ata atje ka nxjerrë lajmin se spitali i Durrësit po shembet. Po ata që janë atje kanë publikuar lajmin se qeveria fshinte 100 të vdekur në morgun e spitalit duke krijuar një situatë kaotike me familjarë që kishin humbur kontakt me anëtarët e familjes që ishin shëndoshë e mirë dhe u turrën tek morgu", tha Rama.
Recommended