Rama: 30 Qershori, mesim per te gjithe

  • 5 years ago
Kryeministri Rama i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij iu drejtua rreth orës 09:30 qendrës së votimit në shkollën që mban emrin e dëshmorit 'Ymer Lala' në Surrel.

Duke respektuar radhën e votuesve, ai shkoi më pas në dhomën e fshehtë ku nuk iu desh shumë kohë për të rrethuar emrin e kandidatit të preferuar.

Në dalje nga qendra e votimit, Kryeministri tha se zgjedhjet e së dielës ishin një leksion për gjithë klasën politike.

"Sot është shumë herë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t'i japë të gjithëve se sa vota për njërin apo për tjetrin që është e fshehtë.  Sot është e rëndësishme që çdo qytetar në këtë vend të votojë ose mos votojë por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose mosvotuar. Historia solli që këto zgjedhje janë zgjedhje për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë. Jam i bindur se sot në Shqipëri po ndodh diçka historike. Është një mësim që nuk do të harrohet kurrë nga asnjë parti politike".

Kryeministri nuk nguroi të japë edhe një mesazh për opozitën.

"Unë besoj se kjo ditë konfirmon se me popullin nuk luhet, sovraniteti i popullit nuk është fjalë boshe dhe kush tenton t'i marrë popullit sovranitet nuk ka asnjë fund tjetër përveç fundit me dështim dhe me turp".

Kreu i qeverisë nuk preferoi të bëjë komente kur u pyet nëse këto zgjedhje i kujtonin kohën e votimeve moniste.

Tv Klan

Recommended