Mberrin ne atdhe trupi i Nentetare Zarife Hasanaj
  • 5 years ago
Trupi i pajetë i dëshmores së atdheut, Nëntetare Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, mbërriti në atdhe. Arkivoli me trupin e Nëntetare Hasanajt, i mbuluar me flamurin kombëtar, u transportua me avion ushtarak nga Letonia dhe shoqërohej nga kolegët e saj shqiptarë, kanadezë dhe letonezë të grup-batalionit të NATO-s.

Për të pritur trupin e Nëntetares Hasanaj, në Aeroportin ?Nënë Tereza? dolën Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputetë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmores së atdheut.

Pas pritjes me nderim ushtarake në aeroport, trupi i pajetë i Nëntetare Hasanajt u dërgua për në banesën e saj, për të vijuar me ritet tradicionale familjare. Homazhet për dëshmoren e atdheut dhe më pas ceremonia shtetërore do të zhvillohen ditën e premte në Pallatin e Kongreseve nga ora 10:00-12:30.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, nëntetare Hasanajt do t?i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.

Në nder të saj, një ceremoni e veçantë lamtumire u zhvillua edhe nga Letoni, ku morën pjesë efektivë nga 10 vende të botës, pjesë e misionit ?Enhanced Forward Presence?

32-vjeçarja humbi jetën të hënën në bazën Camp Adazi të Letonisë nga shpërthimi i disa municioneve. Nga ngjarja u plagos rëndë edhe Major Klodian Tanushi, si dhe Rreshter Julian Kapaj, i cili është jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al
Recommended