KQZ jep mandatet per 5 deputete te opozites

  • 5 years ago
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u dha mandatin e deputetit 5 kandidatëve nga listat shumë emërore të PD dhe LSI. Deputetët e rinj që pritet të bëjnë betimin në seancën plenare të datës 13 Mars janë Lefter Maliqi, që zëvendëson Astrit Veliaj në Berat. Edlira Hyseni, që ulet në vendin e Nora Malajt në parlament nga qarku i Durrësit. Ediola Braha që zëvendëson Vangjel Tavon në Gjirokastër dhe Elda Hoti në Lezhë, në vendin e Viktor Tushës. Në listat e qarkut të Tiranës, nga PD mori mandatin e deputetit Majlinda Halili. Ndërsa vendimi për 4 të parët mori miratimin e të gjithë anëtarëve të KQZ, për Halilin nuk munguan debatet.

Në njoftimin e KQZ thuhet se Majlinda Halili do të merrte mandatin e Gent Strazimit, i cili renditet i 9 në listën e PD në kryeqytet. Por Bledar Skënderi kërkoi që zëvendësimi i deputetëve që dogjën mandatet të niste nga ata që kryesonin listën, e që në Tiranë është kryedemokrati Lulzim Basha. Kundër këtij propozimi votoi kundra vetëm kryetari Klemend Zguri.

Vendimi për t'i dhënë mandatin e Klevis Balliut në Korçë, Ligoraq Karamelos, u vendos të shtyhej për ditën e martë pasi këtë të hënë skandon dhe afati qe ka kandidatja Soela Myrtollari për t'ju përgjigjur thirrjes së KQZ për të pranuar mandatin, e cila ka përparësi në marrjen e mandatit pasi nuk është respektuar kuota gjinore në këtë qark.

Këtë të hënë në KQZ ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit dhe Alban Zeneli, kandidat nga listat e PD në qarkun e Kukësit. Në parlament do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e deputetit edhe Rudina Hajdari. Ajo pranoi për Zërin e Amerikës se qëndrimi në parlament i shërben demokracisë dhe të ardhmes së vendit.  Rudina Hajdari bëhet e dyta deputete e Partisë Demokratike pas Myslym Murrizit, që nuk pranon të djegë mandatin.

Tv Klan

Recommended