Report TV - Familja kërkoi ndihmë në 'Pa Gjurmë', gjendet i vdekur në kanal Ded Shkreta

  • 5 years ago
MAMURRAS - Gjendet i vrarë në një kanal Ded Shkreta, 63-vjeçari i denoncuar i zhdukur nga familjarët prej datës 25 janar të këtij viti. Familjarët e viktimës thanë për Report Tv se ai ka shenja plage në trup dhe kokë të shkaktuara nga sende të forta, të cilat i kanë shkaktuar edhe vdekjen. Ndërsa policia thotë se në trupin e tij nuk ka shenja dhune, por megjithatë pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Ded Shkreta është gjetur i pajetë në fshatin Adriatik, pranë Mamurrasit mesditën e kësaj të shtune, ndërsa ngjarja dyshohet për hakmarrje. Familjarët e tij e shpallën në kërkim pak ditë më parë në emisionin "Pa Gjurmë", duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij (Lexo këtu).

Njoftimi i policisë
Kurbin
Informacion paraprak
Sot, rreth orës 15:57, në fshatin Adriatik në Kurbin, në një parcelë është gjetur pa shenja jete shtetasi D.Sh., 63 vjeç, banues në Mamurras, i cili ka qenë larguar nga banesa që nga data 25 janar 2019. Ai merrte mjekim për shkak se vuante nga sëmundja e sklerozës.

Nga kqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Grupi hetimor vazhdon hetimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të situatës.

I biri dyshon vrasje për hakmarrje
Ermal Shkreta, djali i Ded Shkretës thotë se i ati i tij është vrarë. Familja e Shkretës ishte në hasmësi me familjen Llanaj gjithashtu në Mamurras, çka sipas tij shton dyshimet se krimi mund të jetë kryer për gjakmarrje. Disa vite më parë dy prej familjarëve të xhaxhait të Ded Shkretës, Alban dhe Altin Shkreta hapin zjarr ndaj Muharrem Llanajt, ku i vdekur mbeti nipi i tij i mitur, Endri Llanaj, 9 vjeç, djali i Jetmir Llanajt. Kjo ngjarje e regjistruar në qershor 2012, futi në gjak dy familjet. Altin Shkreta u dënua me 25 vite burg, ndërsa Alban Shkreta me burgim të përjetshëm. Jetmir Llanaj u betua mbi varrin e të birit se do hakmerrej.

Recommended