Report TV - Vettingu, shtyhet për në datë 5 shkurt vendimin për drejtuesen e Krimeve të Rënda

  • 5 years ago
TIRANE-Sot në orën 10:00 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritej që të jepte vendimin për drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Por, rreth 90 minuta para orarit kur ishte planifikuar dhënia e vendimit, komisioni njofton se është shtyrë për në datë 5 shkurt. Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare theksohet se shtyrja është bërë për shkaqe të arsyeshme.

?Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, për shkaqe të arsyeshme, seanca e shpalljes së vendimit për subjektin e rivlerësimit, Znj. Donika Prela, me detyrë drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, përcaktuar në datë 29.01.2019, ora 10:00, do të shtyhet për në datë 05.02.2019, ora 9:00. Kjo seancë do të mbahet në të njëjtën sallë në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë? thuhet në njoftimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Donika Prela doli në seancë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në datë 22 Janar (lexo këtu) ku trupa konstatoi probleme me pasurinë. Sipas raportit të inspektoratit të deklarimit të pasurive zonja Prela kishte probleme me deklarimet e pasurisë, cka u konfirmua dhe nga hetimet e KPK-s. KPK konstatoi se bashkëshorti i zonjës Prela, Vangjel Prela prej 2003 deri në 2011 kishte marrë pagesën nga një kompani ndërtimi cash duke shmangur pagesën e sigurimeve shoqërore dhe tatimet.

Kjo gjetje u cilësua si shkelje edhe nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit. Po ashtu KPK gjatë hetimit kishte gjetur edhe dy hua të konsideruara si të dyshimta një 15 mijë euro të marrë nga familja Prela tek një kushëri i tyre dhe një hua tjetër në të cilën bashkëshorti i kryeprokurores kishte ndërhyrë për ta marrë një person i tretë. Ndërkohë që ditët e fundit Partia Demokratike përmes disa deklaratave për mediat ka sulmuar drejtuesen e Krimeve të Rënda.

Recommended