Tensione në kuvend, opozita bllokon foltoren, Basha akuza Xhafajt për vëllain

  • 6 years ago
Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Nga foltorja e Kuvendit, kreu demokrat, Lulzim Basha, deklaroi se ministri Xhafaj ka përgjegjësi të plotë për mosarrestimin e vëllait të tij, Agron Xhafaj.

Sipas Bashës, Agron Xhafaj është dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge, por që nuk ka vuajtur asnjë ditë burg, pasi e ka mbrojtur ministri.

"Në këtë sallë, para disa muajsh, Fatmir Xhafaj, mohoi dënimin e vëllait të tij për trafik droge, duke e quajtur një çështje të sajuar nga opozita. Dje PD publikoi vendimin e dënimit të Agron Xhafajt dhe dosjen e drejtësisë italiane për vëllain e Xhafajt.

Në mbrëmje ministri mblodhi kurajën dhe mërmëriti para kamerave se vëllai i tij ishte në vendin dhe kohën e gabuar. Vëllai i tij është drejtues i një organizate kriminale, që vepronte mes Shqipërisë-Italisë-Polonisë-SHBA, për importimin e drogës nga Shqipëria. Agron Xhafaj është person i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kjo dosje e bën të qartë se Agron Xhafaj është dënuar për trafik ndërkombëtar droge, se ai është dënuar për drejtimin e rrjetit të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Faktoi ky vendim ekzistencën e një organizate kriminale për trafikun e drogës.

Ky është vëllai i Fatmir Xhafaj, i dënuar në Itali, por që nuk ka vuajtur asnjë ditë burg. Fatmir Xhafaj ka përgjegjësinë e plotë, duhet të merrte masa për arrestimin e vëllait të tij, që është një kriminel i dënuar për trafik droge. Vëllai i tij refuzon të zbatojë ligjin. Ai ka shkelur ligjin, duke mbrojtur vëllanë e tij trafikant", tha Basha.

Recommended