Teatri maqedonas i lyer me ar, teatri shqiptar mes mbeturinash

  • 9 years ago
Aktorët shqiptarë shprehen të revoltuar se shteti po i injoron ato, duke anashkaluar kërkesat e tyre për rinovimin e Teatrit shqiptar në Bit Pazar. Revolta e tyre vjen një ditë pasi u përurua Teatri Popullor Maqedonas, për ndërtimin e së cilit janë dhënë 36 milion euro. Përderisa Qeveria për këtë Teatër ka shpenzuar këto shuma parash, Teatri shqiptar akoma është duke pritur rikonstruimin e parë pas 40 vitesh punë të pandërprerë.

"Teatri popullor maqedonas apo godina e vjetër e re që është përuruar dje, brenda kuptohet se është mbështjellur me arë, ndërsa nëse bëhet një paralele me atë se ku janë artistët shqiptarë, ku do të vazhdojnë të jetojnë e të krijojnë, është po ai objekt që ka qenë, dhe i betonuar para 40 viteve, që në vitin 1974. Do të vazhdojmë me atë beton, do të vazhdojmë të funksionojmë si teatër në atë objekt ku brenda ditës nuk ka qasje prej makinave, prej parkingjeve, prej tregut, prej kallaballëkut në Pazra, ndërsa në mbrëmja vazhdon të mos ketë qasje publiku prej dritave dhe prej qenve", tha Bajrush Mjaku, aktor.

Aktorët shqiptarë shpresojnë që së paku në këtë teatër të shtrenjtë të inkuadrohen edhe aktorë dhe shfaqje shqipe.

"Dallimi mes asaj që teatri maqedonas është teatër shtetëror për të gjithë qytetarët, ose teatër që do të ishte vetëm për popullin maqedonas. Nëse është e para, për të gjithë popullatën, atëherë në atë teatër duhet të ketë edhe aktor shqiptarë, edhe shfaqje shqipe, edhe aktor turq edhe shfaqje në gjuhën turke, në gjuhën rome dhe të gjitha gjuhët që janë në Maqedoni. Në të kundërtën unë nuk do të kisha mundur të arsyetoj participimin tim si shqiptarë dhe participimin e banorëve tjerë jomaqedonas, sepse është dashur që edhe prej taksës time, tatimit tim të ndërtohet ajo godinë me aq vlerë të madhe", deklaroi Besfort Idrizi, aktor.

Por drejtori i teatrit shqiptar Adem Karaga thotë se është duke pritur që të miratohet vendimi për rikonstruimin e Teatrit. Edhe pse shuma e rikonstruimit të Teatrit Shqiptar nuk dihet ende, një është e sigurtë, ajo do të jetë më e vogël se tualetet e Teatrit Popullor Maqedonas, të cilin dje e përuroi vet kryeministri Gruevski. Por drejtori i Teatrit Shqiptar Adem Karaga nuk dëshiron të bëjë një paralele të tillë.

"Unë mendoj që edhe teatri shqiptar më në fund pas 40 viteve do të merren seriozisht punime në kuadër të këtij institucioni për rikonstruimin total të kësaj shtëpie. Unë nuk dua të bëj paralele në kuadër të buxheteve por në kuadër të projekteve punuese të cilët do të duhen të realizohen, janë çështje të cilët më së shumti janë pjesë të Qeverisë dhe Ministrisë, dhe unë besoj që më në fund, është koha e fundit që edhe teatri shqiptar të marrë godinën që e meriton", tha Adem Karaga, drejtor i teatrit kombëtar.

Përderisa për teatrin popullor maqedonas ndahen shuma të tilla eurosh, në teatrin shqiptar akoma janë aktuale problemet me diskriminim në paga në krahasim me aktorët maqedonas, dhe fondet e ulëta për shfaqjet. Benjamin Arifi

Recommended